
Më 13 mars 1940, ndërroi jetë fotografi Kel Marubi.
Emri i vërtetë i tij ishte Mikel Kodheli. Ai filloi të punonte që fëmijë si ndihmës në studion e Pietro Marubit, bashkë me vëllanë e madh Matinë. Rreth vitit 1885 Kel Marubi dërgohet nga mjeshtri i tij, për rreth dy vjet të mësojë mbi fotografinë e proceset e saj në Trieste tek studioja e Guglielmo Sebastianutti-t.
Pas vdekjes së mjeshtrit (1903), ai trashëgoi studion dhe mjeshtërinë e fotografisë, e për nder të mjeshtrit mbajti edhe mbiemrin e tij.
Pas kthimit në atdhe në fund të viteve 20-të, nisi të punojë si fotograf profesionist në Shkodër. Përjetësoi në celuloid momente të jetës së përditshme dhe të veprimtarisë publike të liderëve politikë të kohës.
U angazhua në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, duke marrë pjesë në themelimin e shumë shoqatave lidhur me gjuhën shqipe, si dhe në botimin e gazetës “Zëri i Shkodrës” në vitin 1908.
Në aktivitetin e tij si fotograf, Marubi u bë i njohur edhe jashtë vendit kryesisht në sajë të albumit të realizuar për familjen mbretërore të mbretit të Malit të Zi. Prej veprës së tij janë botuar fotoalbumet “Gjurmë të Historisë Kombëtare në Shkodër” dhe “By the Lumière”.
Kel Marubi la si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 34000 negativë në xham të përmasave të ndryshme.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një letër të Lasgush Poradecit dërguar Marubit me kërkesën për stampimin dhe dërgimin e disa fotove kundrejt pagesës.
Po ashtu, paraqitet një fletëpalosje reklame e stabilimentit fotografik “Marubi”.






