
“In the end” është albumi që mbyll karrierën e grupit të mirënjohur, “The Cranberries”. Një album ndryshe nga të tjerët, i mbushur me emocione për humbjen e dhimbshme të vokalistes së grupit, Dolores O'Riordan, një vit më parë.
Në këtë mënyrë, grupi mbyll karrierën 34-vjeçare , gjatë të cilës arritën të shkruanin një pjesë të rëndësishme të historisë së muzikës bashkëkohore.
Albumi i ri del në treg më më 26 prill. "Pas shqyrtimit të të gjitha demove që kishim punuar me Dolores - thonë Noel dhe Mike Hogan, me Fergal Laëler - vendosëm të bënim një album të fundit, sepse e dimë se kjo është mënyra më e mirë për të nderuar Dolores".
Këngët e zgjedhura janë gjithsej 11 dhe nisin që nga “All over now” deri te kënga e fundit për të cilën ka punuar O’Riordan, teksti i të cilës tingëllon çuditshëm sot. (“Kape dorën time/ Merre/ Merr gjithçka/ Por nuk mund të marrësh shpirtin").
“Kur Dolores u largua, ne lamë gjithçka mënjanë, sepse ishte shumë e dhimbshme të vijonim më tej. Pastaj biseduam me familjen e saj. Ata dhe producenti ynë na shtynë të vazhdonim punën që filluam me të. Ne kemi regjistrime të tjera, por nuk do të ketë një tjetër album”, thonë ata. Pra, historia e “Cranberries” mbaron këtu, grupi nga provinca irlandeze që pushtoi zemrat e publikut dhe hitparade-t e botës nuk do të performojë më.
“Pa Dolores nuk do të ishte e njëjta gjë. Për fotot, për albumin dhe për promovimin e tij, vendosëm të mos i përdornim fotot e saj”, thonë ata.
Kopertina e albumit është fotoja e katër fëmijëve, për të kujtuar kështu karrierën e gjatë të grupit.



