
Në Muzeun Historik Kombëtar është hapur sot ekspozita “Katundet arbëreshe” e cila pasqyron folklorin dhe etnografinë e arbëreshëve.
Veshjet e trashëguara prej qindra vjetësh, vallet arbëreshe, shtegtimet e tyre, si dhe mënyra e jetesës në Italinë Jugore, do të jenë për disa ditë radhazi të ekspozuara në muret e Muzeut Kombëtar.
Për drejtorin e Muzeut, Dorian Koçi, kjo ekspozitë është e një rëndësie të veçantë, pasi pasqyron shpirtin arbëresh.
“Katundi është zemra e arbëreshëve, është gurra folklorike, është etnografia, janë rrëfenjat prej të cilave kanë lindur emrat më të mëdhenj të letërsisë shqipe. nëpërmjet kësaj ekspozite synojmë së pari njohjen nga ana e publikut shqiptar me atë arbëresh, që sa herë që ata shkojnë në Italinë e Jugut të dinë që aty ka një zemër që rreh fort, që është zemra e arbëreshëve, prej ku mund të mësojnë shumë mund të shijojnë format e vjetra arkaike te dialektit të gjuhës së tyre të veshjeve arkaike dhe te gjithfarë tjetër që lidhet me kulturën shpirtërore të arbëreshëve.”
Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur përgjatë një jave, do të nxis drejt gjurmimeve të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe.



