Rreth 94 mijë spektatorë morën pjesë në koncertin e grupit legjendar amerikan të rock-ut, Metallica, të zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Stadiumin Olimpik të Berlinit, duke vendosur një rekord të ri të pjesëmarrjes në këtë arenë ikonike.
Koncerti, pjesë e turneut botëror të grupit, mblodhi fansa nga vende të ndryshme, të cilët mbushën stadiumin për të ndjekur performancën e një prej grupeve më të suksesshme në historinë e muzikës rock dhe metal.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrja prej rreth 94 mijë personash përbën numrin më të lartë të spektatorëve të regjistruar ndonjëherë në Stadiumin Olimpik të Berlinit për një ngjarje muzikore.
Metallica interpretoi disa nga hitet e saj më të njohura, duke krijuar një atmosferë elektrizuese dhe duke konfirmuar edhe një herë popullaritetin e jashtëzakonshëm që gëzon prej dekadash në mbarë botën.
Rekordi i ri konsiderohet një moment historik si për grupin, ashtu edhe për stadiumin, i cili ka pritur ndër vite ngjarje të mëdha sportive dhe artistike.
Grupi njoftoi se bëhet fjalë për numrin më të madh të spektatorëve të regjistruar ndonjëherë në stadiumin e njohur të Berlinit, i cili gjatë ndeshjeve të futbollit ka një kapacitet të zakonshëm prej rreth 73 800 vendesh.
Skena ishte ndërtuar në formë unaze mes publikut, duke u mundësuar fansave me biletat më të mira të afroheshin pranë muzikantëve dhe madje t’u jepnin dorën.
Katër anëtarët e Metallica-s dolën në skenë pak pas orës 20:00 dhe performuan për rreth dy orë hitet e tyre, përfshirë këngë nga albumi i tyre më i fundit, “72 Seasons,” si dhe klasiket e njohura “Nothing Else Matters” dhe “Enter Sandman”.
Koncerti në Berlin shënoi fundin e pjesës gjermane të turneut botëror” M72 World Tour”, i cili ka më shumë se tre vjet që vazhdon.



