Shkrimtarja Eva Gavani ndau në studion e MCN Informacion detaje të jetës së saj me profesionit si kimiste dhe pasionit për letërsinë. Gavani u ndal në mënyrë të veçantë te dy botimet e saj më të reja, “100 lirika dashurie” dhe “Vajza dhe delfini”.
Poezia ka lindur bashkë me mua. Kimia është pjesë e imja, është profesioni ku kam investuar dhe e dua. Janë dy gjëra që i japin jetë njëra-tjetrës, por qëndrojnë të ndara.
Kam shkruar që herët. Në vitet e shkollës së mesme kemi pasur mësues shumë të mirë. Unë jam poete ne ADN, në palcë. Poezinë nuk e ndaj dot nga vetja. Kam shkruar edhe në prozë, dhe vjet kam bërë përpjekjen e fundit për të marrë vëmendjen e fëmijëve përmes librit “Peshku i artë”.
Në panair përfaqësohem me dy libra “Një qind lirika dashurie” dhe “Vajza dhe delfini”.
Gavani, e cila është autore e shumë librave në poezi dhe në prozë, theksoi se “100 lirika dashurie” është kulminacioni i krijimtarisë së saj poetike.
Në librin tim me poezi, në fillim të secilës prej tyre gjen një fletë tërfili, si fatsjellës, si mesazh dashurie. Është dashuria e parë në 100 këndvështrime të ndryshme.
Libri im për fëmijë është frymëzuar ndërkohë që shkruaja “100 lirikat”. Këtu ka një interaksion mes një delfini dhe meje. Delfini simbolizon një qenie që lidhe botën ujore me atë tokësore. Përmes tij, fëmijët do të mësojnë të marrin mesazhe jetësore nga problematikat që shfaqin sot fëmijët. Në çdo fund tregimi ka një mesazh, si sintezë e gjithë subjektit që përfaqëson tregimi vetë.
Këto dy libra erdhën vetë. Lirikat kisha kohë që i bluaja në vetvete. Unë kam një un poetik që e sjell mes “unë” dhe “ti”, pra shkruaj në vetën e parë.
E thonë të gjithë që autori i do veprat e tij njësoj sikur një nën do fëmijët. Por me syrin tim, mendoj se me “100 lirika dashurie” kam arritur kulminacionin.
Në lidhje me atë që pret nga lexuesi, por edhe nga Panairi i Librit, Gavani tha se do të ndihej e shpërblyer nëse vepra e saj shërben për të nxjerrë mësime, por edhe për të ndërtuar mbi të kritika.
Tani lexuesi di të dallojë kush është poezi e shkruar nga një autor i vërtetë dhe kush nga inteligjenca artificiale.
Do të doja që panairi të kishte lexues, jo thjesht vizitorë. Nëse e marr këtë ndjesi, jam krejtësisht e shpërblyer në atë që bëj. Dua që lexuesi ta lexojë librin, të nxjerrë mësime apo kritika. Libri jep shumë mesazh. Shpresoj që të ketë shumë lexues dhe kritikë.



