Në “MCN Informacion” iu kushtua një hapësirë edhe letërsisë, ku u prezantuan dy romane të rinj që sjellin histori të veçanta dhe nxisin reflektim mbi psikologjinë e shoqërisë.
Botuesja Vasilika Tafa u shpreh se romanet ‘Drita e Muzgut’ dhe ‘Vajza në pikturë’ janë vepra interesante që ngrejnë pyetje të thella dhe prekin dimensione njerëzore të ndjeshme.
Romani ‘Drita e Muzgut’ e shkrimtarit holandez Jaap Robben, është një libër që trajton tema të thjeshta në dukje, por me një thellësi të madhe emocionale.
Këtu rrëfehet historina e një gruaje 82-vjeçare, e cila mbetet nën kujdesin e të birit dhe përballet me realitetin e jetës në një qendër për të moshuarit.
Forca e Robben qëndron te mënyra e rrëfimit, e ndjerë, e vërtetë dhe thellësisht njerëzore, që e bën lexuesin të përjetojë emocionalisht historinë.
Ndërsa romani ‘Vajza në pikturë’ i autores australiane Tea Cooper sjell një tjetër dimension, atë të trillerit historik.
Libri ndërthur dy linja kohore dhe ndërton një histori plot mister, ku e kaluara dhe e tashmja lidhen përmes një “puzzle”-i të madh rrëfimor.
Ky roman ofron emocione të forta dhe një narrativë të rrjedhshme, duke e bërë leximin tërheqës për publikun.



