Në kuadër të 18 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike, bashkia Gjirokastër organizoi një aktivitet të veçantë.
Në mënyrë simbolike organizimi u zhvillua në mjediset karakteristike të banesës së gurtë të Zekatëve, një prej vlerave të trashëgimisë kulturore për qytetin e Gjirokastrës.
Pjesëmarrësit në aktivitet, përfaqësues të institucioneve publike, pushtetit vendor, specialistë të trashëgimisë kulturore, restauratorë, etj, evidentuan vlerat historike dhe ndërtimore të monumenteve të kulturës në Gjirokastër si pjesë e UNESCO-s.
Mes të tjerash ata theksuan rëndësinë e promovimit dhe rijetëzimit të monumenteve për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte dhe promovimi i librit “Lugina e Drinosit” të arkeologut Vladimir Qirjaqi, i cili është ndarë nga jeta përpara disa vitesh.
Botimi i librit u mundësua si bashkëpunim i Universisitetit “Eqrem Çabej” dhe Unionit të Gazetarëve. “Me veprimtarinë e tij ai mbeti një nga intelektualët më të angazhuar në evidentimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike, historike dhe arkitekturore të Luginës së Drinos.
Promovimi i librit “Lugina e Drinosit” është guri i çmuar që arkeologu Qirjaqi i la arkeologjisë shqiptare dhe qytetit të tij”, u shprehën pjesëmarrësit në aktivitet.
Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Vendbanimeve Historike, ( ICOMOS ) gjatë një mbledhje në Tunizi, më 18 prill 1982, vendosi që kjo datë të shpallet si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Vendbanimeve Historike.
Ky vit përkon me 40-vjetorin e shpalljes së kësaj dite.



