
Tom Hanks, një nga aktorët më të dashur të Hollivudit, do të nderohet me çmimin e karrierës nga “Golden Globe” në ceremoninë e organizuar në Beverly Hills më 5 janar.
Hanks, tashmë 63 vjeç, suksesin e tij të parë kinematografik e pati me filmin "Big" më 1988, duke luajtur një të ri që zgjohet në trupin e një të rrituri.
Ai fitoi çmime “Oscar” dhe “Golden Globes” në vitet 1994 dhe 1995 për rolet e tij në dramën "Philadelphia" dhe në komedinë "Forrest Gump".
Filmi i radhës i Hanks, "A Beautiful Day in the Neighborhood” (Një ditë e bukur në lagje), në të cilin ai interpreton drejtuesin e dashur të emisioneve televizive për fëmijë, Mister Rogers, do të shfaqet në nëntor.
Tom Hanks ka interpretuar në mbi 80 filma, ku përveç titujve të mësipërm përfshihen edhe: "Sleepless in Seattle" (Të pagjumë në Siatëll) dhe "Private Ryan" (Ushtari Rajan). Ai ishte zëri i kaubojsit Woody në filmin e animuar "Toy Story".
Çmimi “Cecil B. DeMille” i jepet çdo vit një aktori a regjisori, i cili ka pasur një ndikim të qëndrueshëm në industrinë e filmit. Fitues të këtij çmimi janë figura të tilla të ekranit deh kinematografisë, si: Steven Spielberg, Meryl Streep, Oprah Winfrey, Jeff Bridges dhe Harrison Ford.



