Si sot, 40 vjet më parë u përurua Muzeu Historik Kombëtar, për ngritjen e të cilit u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit, të cilët punuar për gati tre vjet deri hapjen përfundimtare të tij.
Për nder të kësaj dite, Muzeu Historik Kombëtar organizoi sot, veprimtarinë jubilare në 40-vjetorin e inaugurimit të tij, çeljen e Konferencës Ndërkombëtare Muzeuologjike “Muzetë Përtërijnë të Ardhmen” dhe ekspozitës “Kur ndërtohej Muzeu Historik Kombëtar”.
Në ceremoninë jubilare, ishte një panel i zgjedhur i përbërë nga: Znj.Elva Margariti, Ministre e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, Sekretari Shtetit i Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Valmir Aziri, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, z. Skënder Gjinushi si dhe shumë studies, historianë, muzeologë dhe dashamirës të muzeologjisë, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi u shpreh se: “Është një kënaqësi e veçantë që sot kremtojmë 40-vjetorin e përurimit të Muzeut Historik Kombëtar, përvjetor ky që i paraprin vitit 2022, i cili përkon dhe me 100- vjetorin e themelimit të Muzeut Historik Kombëtar. Ka ardhur momenti i përshtatshëm për të promovuar rrjetin kombëtar të muzeve, që do të shërbejë si rregullator i sistemit të muzeologjisë shqiptare. Me interes të veçantë do të ishte një mbledhje vjetore e muzeologëve, e cila konsiston në shkëmbimin e përvojës profesionale në menaxhimin, restaurimin, ekspozimin e objekteve muzeale. Këtë vit kjo konferencë shkencore do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, por me krijimin e rrjetit muzeal qëllimi ynë është që konferencat të zhvillohen në vendet e rajonit në muzetë e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi etj. Ju falenderoj për vëmendjen”.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti u shpreh se: “Pa kujtesë nuk ka kulturë; pa kujtesë nuk mund të ketë qytetërim, shoqëri, të ardhme”. Kështu thoshte Elie Wiesel, Nobelisti për Paqen dhe një i mbijetuar Holokaustit, që ashtu si At Zef Pllumi jetoi për të treguar, gjithçka për të cilën ai ishte dëshmitar. Sot jemi në 40-vjetorin e Muzeut Historik Kombëtar, këtij institucioni me një rëndësi të veçantë në rrëfimin e rrugëtimit të shqiptarëve në rrjedhën e historisë; një nga destinacionet më të rëndësishme të vizitorëve shqiptarë e të huaj, që duhet të jetë lider në fushën e muzeologjisë shqiptare. Me hapa gradualë po sjellim ndryshimin: Po restaurojmë mozaikun simbolik në ballinën e ndërtesës, kemi lehtësuar aksesin e vizitorëve përmes biletarive elektronike, online, audioguidave, ndërsa i kemi hapur dyert debatit konstruktiv mbi historinë dhe muzeologjinë”.
Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet si i ftuar nderi në këtë event, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Prof. Dr. Skënder Gjinushi u shpreh se: “40-Vjetori i themelimit të Muzeut Historik Kombëtar është një datë jubilare jo vetëm për kulturën dhe shkencën shqiptare por dhe gjithë shoqërinë dhe vendin tonë. Kam kënaqësinë që në emër Akademisë së Shkencave të uroj gëzuar këtë përvjetor të shënuar dhe të shpreh bindjen se ai do të jetë gjithnjë në lartësinë që i takon si kryeqendra e memories së një populli me histori të lashtë dhe me një qytetërim me një identitet kulturor dhe gjuhësor ndërkombëtar të veçantë”.
Përgjatë ceremonisë së veprimtarisë jubilare në 40-vjetorin e inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, prezantoi shpërndarjen e Diplomave të Mirënjohjes, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ndihmesën dhe kontributin e dhënë në konceptimin, përmbajtjen, si edhe në ecurinë e Muzeut Historik Kombëtar gjatë 40 viteve, si institucioni më i madh muzeor në vend. Këto diploma mirënjohjeje shkuan për: Selim Islamin, Moikom Zeqon, Luan Malltezin, Nina Shehun, Fisnik Pulajn, Enver Kushin, Tatjana Alimeman, Robert Koten, Grigor Kondurin, Sotirulla Hoxhan, Fatmir Haxhiun, Kleanthi Deden, të cilët përshëndeten të emocionuar si dhe falënderuan organizatorët për mirënjohjen dhe respektin e shfaqur karshi kontributit të tyre gjatë 40 viteve.
Në kuadër të 40-vjetorit të inagurimit të Muzeu Historik Kombëtar, u bë çelja e ekspozitës përkujtuese me titull “Kur ndërtohej Muzeu Historik Kombëtar”, e cila përmban fotografi të protagonistëve të atyre viteve e shoqëruar me dokumente arkivore.



