Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua sot mbledhja e grupit të punës për projektin e madh “Historia e shqiptarëve”.
Në mbledhje ishin të pranishëm akademik Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave, akad. Pëllumb Xhufi, kryetar i Seksionit të Studimeve Albanologjike, akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi, drejtor i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike (ASH), prof. Paskal Milo, prof. Neritan Ceka, akad. Marenglen Verli, akad. Beqir Meta, prof. Gjon Berisha; prof. Hamit Kaba; prof. Ferit Duka, prof. Ana Lalaj; dr. Sonila Boçi, dr. Ledia Dushku; prof. Edon Qesari, etj.
Në takim u diskutua për mbylljen e fazës parapërgatitore të këtij projekti, si dhe për vijimësinë e punës lidhur me përmbushjen e kritereve shkencore dhe teknike, strategjitë e bashkëpunimit me autorët dhe drejtuesit e grupeve të punës, diskutimin e materialeve të përfunduara dhe për redaktimin final të teksteve.
U diskutua edhe për realizimin e projektit brenda afateve kohore, që e gjithë puna dinamike dhe voluminoze të bëhet me angazhimin dhe bashkëpunimin e gjithë hallkave pjesëmarrëse, për të pasur një rezultat të arrirë edhe në cilësi.
Kryetari i Akademisë, akad. Gjinushi vuri në pah angazhimin e historianëve më të mirë për periudhat përkatëse dhe përfshirjen e institucioneve kryesore të studimit dhe arsimit në Shqipëri e Kosovë.
“Duke qenë para këtij fakti, dhe duke parë angazhimin e gjithsecilit, kam besimin e plotë se produkti final do të jetë aq me vlerë dhe cilësor, sa edhe rëndësia që ka. Ky bashkëpunim do të na japë një produkt të sintetizuar dhe konciz, në mënyrë që t’i drejtohet gjithë publikut shqiptar dhe të huaj, duke shfaqur imazhin dhe të vërtetën e historisë shqiptare”, theksoi akad. Gjinushi.
Mbledhja kishte për qëllim inkurajimin për të gjithë studiuesit për pjesëmarrjen në këtë projekt, si edhe evidentimin e çështjeve organizative që duhen përmirësuar për ecurinë e projektit për hartimin e “Historisë së shqiptarëve”.



