Artisti Oltsen Gripshi flet për bienalen ndërkombëtare të artit bashkëkohor të Durrësit në edicionin e saj të parë.
Në emisionin “Zgjohu me MCN” ai tha se është një aktivitet ndër më të rëndësishmit pasi bën bashkë 17 kombe dhe 40 artistë nga vende të ndryshme të botës.
E ardhmja hibride” është tema e këtij edicioni të parë. Artistët janë të një kalibri ndërkombëtar.
Të bësh një edicion të parë me artistë të këtij kalibri, është një sukses.
Unë jam pjesë e kësaj fushe, i kam kushtuar jetën artit pamor, ka qenë një dëshirë e hershme, e kam pjekur pak nga pak dhe ja ku mbërriti një moment që duhet të hidhnim një hap të parë.
Kemi gati një vit e pak që përgatisim këtë bienale.
Është një gërshetim i artit pamor dhe Durrësi duhet të kishte një aktivitet kaq të rëndësishëm, për të ftuar gjithë ata që kanë dëshirë të rrokin artin pamor.
Durrësi nuk duhet të ngelet vetëm qytet bregdetar, por të ketë një aktivitet të rëndësishëm kulturor, duhet të ketë dhe bienale, që është aktivitet që mbahet çdo dy vjet.
Ka qenë një sipërmarrje titanike, aq sa herë pas here kam menduar ta lë përgjysmë.
Por nëse më parë kam thënë që artistët janë një qenie e ndërlikuar, tani e them që janë skajshëm të vështirë pasi kërkojnë më të mirën e veprës së tyre.
Janë ndarë disa çmime të rëndësishme, pavioni më i mirë iu dha SHBA.
Më pas pavioni i Kinës, mori çmimin si artisti më i mirë i Kinës.
Më tej u dhanë disa çmime për karrierën në skulpturë dhe pikturë.
Të nisësh me këtë lloj aktiviteti dhe emra të rëndësishëm të artit pamor, unë them se është bërë 80% e udhës.



