
Ka filluar sot në Prishtinë punimet Seminari i 41-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare.
Në ceremoninë ku morën pjesë zyrtarë shtetërorë, ambasadorë, akademikë e studiues, u vlerësua roli i rëndësishëm i këtij seminari.
Mbi 100 mysafirë nga e gjithë bota kanë ardhur për të mësuar shqipen në tri nivele.
Janë planifikuar aktivitete të ndryshme kulturore përgjatë dy javëve të ardhshme sado të jetë i hapur ky seminar.
Temat bosht të këtij viti janë “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”.
Drejtori i seminarit, Bardh Rugova ka bërë të ditur se edicioni i 41-të me radhë ka mbledhur rreth 250 pjesëmarrës.
Ata i ndajmë në dy grupe kryesore. Në grupin që do të vijnë në seminar për të ndjekur kurset e gjuhës, janë një numër prej 100-120 studentë dhe studiues, të cilët duan që ta mësojnë në nivele të ndryshme gjuhën shqipe për nevoja të mëtutjeshme studimore.
Ky mund të themi që është fokusi ynë kryesor, për shkak që themi se numri më i madh i albanologëve të mëdhenj sot në botë janë që kanë kaluar nëpër këtë seminar.
Pjesa e dytë e pjesëmarrësve të seminarit, që do të jenë rreth 130 të tjerë, janë studiues të cilët do të paraqiten me ligjërata, referime dhe kumtesa të ndryshme studimore.
Këtë vit në Seminarin 41 të Prishtinës, përveç aktiviteteve tjera, do të mbahen nëntë ligjërata shkencore.
Seminari XLI i albanologjisë do t’i zhvillojë punimet nga data 14 gusht deri më datën 25 gusht, ku do të marrin pjesë mbi 100 seminaristë të huaj.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studente/ë e studiues/e që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.



