Një konkurs i madh ndërkombëtar për rikonstruksionin tërësor të Muzeut Historik Kombëtar. Kjo është ajo çfarë pritet të zhvillohet së shpejti me nismën e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me specialistë dhe konsulentë të fushës për të sjellë një “Muze të ri” për shqiptarët.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, flet për mënyrën se si është konceptuar të bëhet ky rikonstruksion, përsa i përket ndryshimit të linjës muzeale dhe pastrimit ideologjik të pavijoneve të muzeut, sidomos përsa i përket periudhës së komunizmit.
Konsultimi i linjës muzeale, rikonstruksioni i ndërtesës nga ana arkitekturore, në mënyrë të tillë që shqiptarët në shek XXI të kenë një muze modern që t’i përshtatet edhe ndryshimeve arkitekturore janë në qendër të punës që sapo ka filluar për organizimin e konkursit ndërkombëtar për rikonstruksion e muzeut, por për të cilin drejtori Koçi nuk mund të japë më tepër të dhëna dhe as data se kur mund të fillojë apo të përfundojë procesi.



