
"Gjithçka është e vërtetë", ka thënë autori i librit Charles Brandt për atë që tregohet në “The Irishman”, librin që frymëzoi filmin e ri të suksesshëm të Martin Scorsese, me një kast yjesh si: Robert De Niro, Al Pacino, Joe Pesci dhe Harvey Keitel. Autori Charles Brandt, një nga jurisët më të shkëlqyer në Amerikë dhe prokurori i përgjithshëm i shtetit të Delaware, thirrej shpesh për t’i marrë në pyetje kriminelët. Brandt, 77 vjeç, u takua për pesë vjet rresht me Frank Sheeran, vrasësin e pamëshirshëm mafioz, në dëshminë e të cilit bazohet historia e thënë në “The Irishman”.
"Unë e them me siguri se gjithçka që thuhet në libër është e vërtetë, sepse unë e di që Frank po thoshte të vërtetën. Ai më kontaktoi pasi lexoi librin tim" E drejta për të heshtur" që flet se si rrëfimi është një nevojë njerëzore e lindur. Unë di si të marr në pyetje, unë mund të kuptoj kur dikush thotë të vërtetën ose kur dikush gënjen, por mbi të gjitha unë jam i mirë për të nxjerrë prej njerëzve atë peshë që mbajnë brenda të gjithë personat që kanë kryer një krim", shprehet Brandt, për “Ansa”.
Në 472 faqet e librit, Frank Sheeran, i njohur si irlandez, një nga dy të vetmit joitalianë në listën e njëzet e pesë figurave më të njohura të krimit të organizuar amerikan, të hartuar nga Rudy Giuliani, rrëfeu krimet e tij para se të vdiste, përfshirë atë të Jimmy Hoffa , udhëheqësi i sindikatës, i cili u pa për herë të fundit më 30 korrik 1975 nuk iu gjet kurrë trupi. Një përrallë epike në të cilën ekziston edhe historia e Sheeran dhe në pjesën jepen të dhëna të panjohura të papublikuara më parë mbi vrasjen e Kenedit dhe përfshirjen e mafies në të.
"Frank ka qenë dëshmitar i bisedave të ndryshme të anëtarëve të niveleve të larta mafioze përfshirë Bufalino dhe Hoffa. Ekzistojnë elemente të pakontrollueshme. Ne e dimë me siguri se Carlos Marcelo, i cili ishte një bos mafioz në Nju-Orlins dhe Dallas, ka luajtur një rol dhe se Toni Provenzano, i cili është gjithashtu i pranishëm në film, ka pasur rol në atë atentat. Shumë nga këto gjëra konfirmohen edhe nga dokumentet e FBI-së, të lëshuara në 1993, të cilat konfirmojnë këtë lexim të ngjarjeve", thekson Brandt.
"Ekziston një frazë zbuluese: "Nëse ne kemi arritur të vrasim presidentin, ne gjithashtu mund të vrasim presidentin e sindikatës", thotë Bufalino për Frank kur Hoffa këmbëngul se dëshiron të kandidojë për president të sindikatës së shoferëve pas thirrjes së shefit të mafies për mos e bërë”, shpjegon Brandt. Ai thotë që edhe pasi doli libri pati "shumë konfirmime se ajo që thuhet aty është e vërteta. Në vitin 2006 një nënshkrim u dërgua për mua nga një i caktuar Bob Garridy, një agjent i FBI-së i ngarkuar të ndiqte rastin Hoffa, dhe ai më tha që ajo që kisha shkruar ishte në përputhje me ato që kishte zbuluar FBI, përfshirë marrëdhëniet midis Frank dhe Hoffa, që siç shihet mirë në libër dhe në film kanë pasur një marrëdhënie pothuajse vëllazërore, aq shumë sa që për Sheeran ishte shkatërruese që duhej të merrte përgjegjësi për vrasjen e një personi që e donte ”.
Për filmin e Scorsese-s, Brandt thotë: "Është një kryevepër absolute. Gruaja ime dhe unë e dinim se si do të përfundonte historia, por ne u gozhduam në karrige. Nuk ka dallime të mëdha midis librit dhe filmit për shkak të faktit se unë u përfshiva në skenar që në fillim”.
Që kur mori për herë të parë në pyetje Frankin, Brandt mendoi se historia e tij ishte për Martin Scorsese-n. "Më duhet të pranoj që nga fillimi, që kur po shkruaja librin, brenda meje shpresoja se do të mbërrinte në duart e Scorsese-s, sepse dukej se ishte bërë për të. Kur doli libri, disa producentë të Hollivudit më kontaktuan mua, por unë gjithmonë refuzoja t’i shisja të drejtat. Mund ta imagjinoni lumturinë time kur shtëpia ime botuese më njoftoi në qershor të vitit 2007 se ajo ishte kontaktuar për një film me Martin Scorsese-n. Ka mafien dhe ndjenjën e madhe të fajit të Sheeran", shpjegon Brandt. /Ansa, përgatiti Erina Çoku/



