
Ministria e Kulturës në Ukrainë ka futur në “listën e zezë” këngëtarin italian, Albano Carrisi.
Lista në fjalë rendit individët që shteti ukrainas i konsideron “kërcënim për sigurinë kombëtare” dhe përditësohet nga Ministria e Kulturës në bazë të kërkesave të formuluara nga Këshilli i Sigurisë dhe Mbrojtjes, shërbimet e sigurisë dhe këshillat e radiove dhe televizioneve shtetërore.
Në listën e të padëshiruarve janë 147 persona. Carrisi është aty prej datës 6 mars. Al Bano dhe ish-bashkëshortja Romina kanë qenë shumë të famshëm në vitet ’80-’90 edhe në Bashkimin Sovjetik. Al Bano është një mbështetës i Putinit dhe nuk e ka fshehur kurrë simpatinë për të.
Vetë këngëtari, i pyetur nga mediat italiane, e ka quajtur të papranueshëm vendimin. “Nuk kam thënë kurrë një fjalë kundër Ukrainës. Është e papranueshme që unë që i këndoj paqes prej një jete, trajtohem si terrorist. Kur e mora lajmin, mendova se më kishin ngatërruar”, ka thënë ai.



