
Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi sot konferencën jubilare në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. Të pranishëm ishin akademikë nga të gjitha trojet shqipfolëse, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e të tjera figura të rëndësishme të shkencës.
Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të kryetarit të ASHSH, Skënder Gjinushit.
Kjo konferencë është një ngjarje kyçe me rëndësi historike. Së bashku me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kemi punuar për t’i dhënë rëndësinë e duhur, në shenjë mirënjohjeje ndaj atyre që punuan për Kongresin e që sot nuk janë më mes nesh”, u shpreh akademiku Gjinushi.
Njehsimi i gjuhës kombëtare është një prej fakteve ndikues në forcimin e identitetit të një populli, faktor kryesor përcaktues për identitetin. Kongresin e vitit ’72, Gjinushi e cilësoi si një ngjarje të madhe historike, e cila ishte produkt i një përgatitjeje shumëvjeçare, në trojet shqiptare. Kërkesat e mendimtarëve shqiptarë që në shekullin e 19-të, për një gjuhë të përbashkët, ishin shprehje e ëndrrës së gjithë shqiptarëve për një bashkim.
“Tashmë, 50 vjet pas mbajtjes së këtij kongresi, mund të thuhet se gjuha e njehsuar i ka kaluar sfidat e kohës. Gjuha e njehsuar shqipe rezultoi e suksesshme dhe funksionale, duke provuar katërcipërisht barazinë e saj me çdo gjuhë të madhe e të vogël, me përkthimet nga Antikiteti, e deri te shkrimet e shenjta.
Ai shtoi se Akademia e Shkencave të Shqipërisë, e konsideron përgjegjësi promovimin, përditësimin dhe mbrojtjen e gjuhës së njehsuar, në të gjitha rrafshet dhe se rendi e rregullimi i saj nuk është një proces i mbyllur përgjithnjë, por ajo pasurohet, përsoset, përparon e konsolidohet dhe se dialektet janë një rezervat i pasurimit të saj.
Nga ana e tij, akademik Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u shpreh se Shqipëria e Kosova nuk kanë nevojë të bëjnë politika të mbrojtjes së gjuhës nga folësit e saj, porse ka nevojë të bëjë politika të mbrojtjes së gjuhës nga braktisja e folësve të saj.
Më lejoni të them se në Kosovë gjuha letrare shqipe dhe standardi, gjatë këtyre njëzet vjetëve kanë njohur zhvillime pozitive: tashmë ka ndodhur dhe po vazhdon një proces i gjatë dhe i vështirë i desallvizimit, si dhe i kthimit të gjuhës shqipe nga gjuhë e dytë në gjuhë të përdorimit të gjerë shtetëror dhe institucional.
Por në këtë drejtim ne kemi ende shumë punë për të bërë, sepse Kosova përveç shtetit politik, gjeografik, shtetin juridik, diplomatik, administrativ, ushtarak, e ka të nevojshme të bëjë edhe shtetin gjuhësor. Ky është një proces i vështirë, që duhet të fillojë nga Kushtetuta e Kosovës, e cila, e miratuar nën trysni të mëdha, bën diskriminim gjuhësor, duke vendosur në pozitë të barabartë gjuhën e 95% të folësve me gjuhën e 5% të folësve të Kosovës.
Së fundi më lejoni të them se shtetet tona nuk kanë nevojë të bëjë politika të mbrojtjes së gjuhës nga folësit e saj, madje edhe nëse ata ndonjëherë ndodh të abuzojnë me gjuhën dhe nuk janë në të drejtën e Zotit për me e përdorë gjuhën me dinjitet dhe nder, por shteti ka nevojë të bëjë politika të mbrojtjes së gjuhës nga braktisja e folësve të saj.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rolin e patjetërsueshëm të Kongresit të Drejtshkrimit (1972) në njehsimin e gjuhës shqipe.
Në fjalën e mbajtur në konferencën jubilare me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Rama shprehu mirënjohjen ndaj intelektualëve e firmëtarëve të Kongresit, të cilët iu futën punës me bindjen se kombi është një, prandaj edhe gjuha duhej kodifikuar në një standard.
Kryeministri theksoi se nuk mund të hidhet poshtë puna kolosale që Kongresi bëri për gjuhën shqipe, vetëm pse u mbajt nën regjimin komunist.
Rama tha se “trungu i përbashkët që na lidh të gjithëve është trungu që mbolli Kongresi i Drejtshkrimit”.
“Imagjinoni procesin e integrimit si do të merreshim vesh për të përkthyer në gjuhën e Brukselit, 7 palë gjuhët tona. Se do të kishte dalë gegnishtja e Shkodrës dhe pastaj e Pukës, toskërishtja e Vlorës, por do të dilte edhe e Tepelenës.
Kryeministri citoi Kadarenë (në një intervistë për Gazetën “Zëri” në Kosovë) dhe tha se “gjuha është më i vështiri pakt që njerëzit kanë lidhur mes tyre”, për të treguar rrugën e gjatë që flamujt e Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kryen për të ndenjur krah njëri-tjetrit në këtë konferencë, duke përmbushur simbolikisht këtë pakt.
Nuk duhet të harrojmë sa e pamundur dukej disa vite më parë që gjuha shqipe të flitej, të shkruhej e të pranohej lirisht si e drejta themelore e shqiptarëve në trevat ku ky komb shtrihet.
Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt gjatë datave 20-25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë. Në të morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Italia, për të dakordësuar Rezolutën që standardizoi rregullat drejtshkrimore të gjuhës shqipe.



