
Poeti i njohur shqiptar Jorgo Papingji ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 81 vjeçare.
Ai ishte një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare popullore, ku me anë të teksteve të shumta arriti të krijojë një profil krejt të veçantë poetik e artistik dhe të bëhet i dashur për publikun.
Për herë të parë si fëmijë, Papingji botoi në gazetën “Zëri i rinisë”, një cikël me poezi dhe prej asaj kohë nuk pati më ndarje me poezinë.
Bashkëpunimi i parë i Jorgos si autor teksti ka qenë me kompozitorin e shquar Aleksandër Lala në këngën që bëri aq shumë bujë në atë kohë “A ta fshij apo ta gris”; ishte një këngë për fëmijë, që aso kohe ngjalli shumë reagime pozitive dhe emocione estetike.
Jorgo Papingji mbaroi studimet e larta për shkenca ekzakte (matematikë-fizikë) profesion të cilin e ushtroi paralelisht me poezinë.
Ai ka shkruar 5 këngë fituese në “Festivali i Këngës”, njëri prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian i Këngës në vitin 2014, është emëruar “Mjeshtri i Madh” si dhe ka shkruar mbi 4000 këngë.



