
Eksploruesi Victor Vescovo ka mbërritur në pikën më të thellë të botës, duke vënë një rekord të ri për zhytjen më të thellë në oqean (10,927 metra) në një mission eksplorimi që zgjati 12 orë rresht.
Biznesmen dhe pilot amator, tashmë ai u bë njeriu i parë që ka qenë edhe në vendin më të lartë në botë (Everest), edhe në vendin më të thellë në botë (Gropa e Marianës në oqeanin Paqësor – gropa natyrore më e thellë në botë). Sipas tij, vështirësia e ngjitjes në Everest ishte më shumë fizike, kurse e zhytjes në Gropën e Marianës ishte më shumë mendore.
I pyetur për mbresat e tij, ai u përgjigj se atje thellë ishte një vend mrekullisht i paqtë, ku u befasua nga speciet e rralla (disa krejt të panjohura) dhe forma të reja jete (që ekzistojnë jo në saje të dritës), por u zhgënjye nga prania e mbeturinave, të shkaktuara nga njerëzit.
“Eksplorimi i oqeanit mund t’i mësojë njeriut shumë më tepër, sesa vetë eksplorimi i hapësirës… Dy të tretat e planetit është ende i paeksploruar, ende i panjohur prej nesh”, u shpreh ai.
Victor Vescovo, përveçse i ka mrekulluar të gjithë me vendosjen e rekordit dhe me energjinë e pashtershme, ka befasuar edhe me një detaj të veçantë në anijen dhe veshjen e tij – Flamurin Shqiptar Kuq e Zi.
Në krahun e tij të djathtë renditeshin disa flamuj: flamuri shqiptar, flamuri amerikan, flamuri i Kombeve të Bashkuara dhe ai i Teksasit.
Pyetjes së të gjithëve se si u përfshi flamuri shqiptar në një mision në Oqeanin Paqësor, i është përgjigjur website-i zyrtar i "Five Deeps Expedition" (Ekspeditës së pesë zhytjeve):
"Flamuri Kuq e Zi i Shqipërisë është një nderim për historinë e jashtëzakonshme të popullit të mrekullueshëm shqiptar, veçanërisht të një gruaje, partneres së njërit prej sponsorve, e cila ka qenë e mbetet një mbështetëse e fuqishme e ekspeditës.”. /Përgatiti Erina Çoku/



