
Arma me të cilën piktori Vincent Van Gogh u vetëvra pritet të dalë në ankand në Paris.
E njohur si "arma më e famshme në historinë e artit", revolveri i tipit Lefaucheux vlerësohet 40 000 - 60 000 € nga AuctionArt.
Arma e kalibrit shtatë milimetër u gjet nga një fermer në vitin 1965, në një fushë afër Auvers-sur-Oise, në veri-perëndim të Parisit, ku Van Gogh kaloi muajt e fundit të jetës.
Arma u shfaq për publikun për herë të parë në vitin 2012. Ajo është ekspozuar gjithashtu në Muzeun Van Gogh në Amsterdam, në vitin 2016.
Misteri i vdekjes së piktorit holandez është ende i paqartë: ndërsa historianët besojnë se Van Gogh vrau veten, disa studiues pohojnë se ai mund të jetë qëlluar aksidentalisht nga dy djem.
Ankandi është planifikuar për në 19 qershor 2019, në hotel “Drouot”.



