Në 90-vjetorin e botimit të krijimtarisë së Migjenit botohet një bibliografi që mbulon një periudhë prej 80 vitesh për dhe mbi krijimtarinë e poetit.
Shkrimtari me vetëm një vëllimth (që nuk mundi as të qarkullojë ndër lexues sa ishte gjallë), me një krijimtari të këputur në mes prej ikjes së parakohshme nga jeta, pas vdekjes së tij pati një vërshim botimesh, duke filluar nga pjesëza të veprës, për të vijuar me rrjedhën e pandalshme të ribotimeve e të shkrimeve mbi të: shënime, kritika, artikuj, kumtesa, dëshmi, kujtime, përkthime, studime e interpretime.
Këtyre botimeve për Migjenin i shtohet edhe një bibliografi e re, e cila, ndonëse nuk është e para, shënjon me botimin e saj 90-vjetorin e botimit të krijimtarisë së tij.



