Ndahet nga jeta në moshën 99-vjeçare një nga ikonat e Hollivudit. Zsa Zsa Gabor, ka ndërruar jetë për shkak të një ataku kardiak në vilën e saj në Bel Air, Los Angeles.
E njohur si një divë e skenës, ajo ka lindur në Budapest në vitin 1917. Në vitin 1936 është kurorëzuar Mis Hungaria, për të vijuar më pas karrierën në Hollivud.
Interpretimi i saj i parë ka qenë ai në “Moulin Rouge” me regji të John Huston.
Ajo u bë menjëherë e famshme për shkak të theksit europian, që nuk e braktisi edhe pasi perfeksionoi anglishten.
Ajo është shfaqur në shumë filma dhe seriale duke luajtur veten në shumicën prej tyre.
Zsa Zsa Gabor mbahet mend edhe për numrin e madh të martesave. Burrat e jetës së saj ishin të gjithë të pasur dhe mundësisht më të rinj në moshë.
“Dua një burrë të sjellshëm dhe të kuptueshëm. Është e tepërt ta kërkoj edhe milioner?”, është shprehja e saj që bëri bujë në vitet kur ajo ishte në kulmin e suksesit.
Ajo ka qenë e martuar me “mbretin” e hoteleve “Hilton”, Conrad Hilton, me aktorin George Sanders, dizajnuesin Jack Ryan, krijues i kukullës “Barbie” dhe Michael OHara. Më vonë erdhi martesa me biznesmenin Felipe de Alba. Në vitin 1986, në moshën 69-vjeçare, ajo u martua me Prinz von Anhalt, 30 vjet më i ri në moshë.



