
Koka prej mermeri 2000 vjeçare e perandorit të parë të Romës, Augustusit është zbuluar në Isernia, në qytetin italian.
Arkeologu Francesco Giancola bëri zbulimin e jashtëzakonshëm ndërsa ishte duke restauruar një mur mesjetar që u shemb për shkak të shirave masive të vitit 2013.
Giancola tha për CNN se nuk e priste një zbulim të tillë, ndërsa tregoi hap pas hapi se si arriti të bëhej zbulimi I madh.
"Ndërsa po gërmonim pas murit, pashë që toka ndryshoi ngjyrë.
Kështu që ne vazhduam gërmimin me mistri precize dhe më pas pamë një bllok mermeri. Menjëherë pashë se ishte një kokë që unë e njoha se i përkiste një statuje të Augustusit për shkak të flokëve dhe formës së syve.", u shpreh Giancola.
Më tej ai tha se menjëherë thirri autoritetet, kryetarin e bashkisë dhe ministrinë e trashëgimisë kulturore.

Koka me lartësi 35 centimetër mund të datonte rreth vitit 20 P.E.S dhe vitit 10 pas Krishtit, tha arkeologia e departamentit rajonal të ministrisë, Maria Diletta Colombo.
Ndërkohë ende nuk dihet pse statuja e rëndësishme e perandorit italian ndodhej në cep të një muri dhe jo në një tempull kushtuar kultit të familjes perandorake.



