Një ditë pasi disa artistë denoncuan siglën e TKOBAP si plagjiaturë, ka reaguar kompania që e ka krijuar atë.
Pika Production, në një sqarim për publikun në profilin e saj në rrjetet sociale, thotë se vlera pre 18 milionë lekësh të vjetra, për të cilën është paguar, përfshin një paketë shërbimesh dizajni dhe video.
Kompania sqaron se ka marrë 1 537 500 lekë të reja, pas zbritjes së 20%-shit.
Ajo thotë se ka marrë pjesë në dy konkurse, por ka fituar atë të 20 nëntorit 2019. Por kontrata me TKOBAP, sipas saj, është nënshkruar më 30 nëntor 2020, për shkak të pandemisë.
Lidhur me pretendimet për plagjiaturë, kompania thotë se nuk e ka kopjuar dhe se ideja ka ardhur nga germa O, që përfaqëson njëkohësisht edhe operën, edhe hapjen e gojës gjatë interpretimit operistik.



