
Autori dhe dramaturgu Stefan Çapaliku promovoi në bibliotekën publike në Elbasan librin e tij më të ri.
Fitues i çmimit “At Gjergj Fishta 2024” në letërsi, ky vëllim poetik vjen me një titull të huazuar nga bota e fotografisë, siç është “Dhoma e Errët”.
Në 69 poezitë e “Camera Obscura”, autori, nëpërmjet pasionit të tij për fotografinë, sjell një botë të fiksuar në objektiv dhe më pas në letër, në mënyrë të pakontrolluar, reale; ai ka eksploruar përmbajtje të reja të cilat e çojnë atë drejt formave të reja.
Vetë autori shprehet se përse Elbasani mbetet një stacion i rëndësishëm për të prezantuar krijimtarinë e tij.
Një mesazh autori e ka edhe për brezin e ri, të cilët i fton të shfletojnë letërsinë vendase.
Në prezantimin e librit tek të pranishmit në sallë, autori kishte përgatitur një videoperformancë e cila nëpërmjet objektivit të përmbysur paraqiti imazhet që autori si një kalimtar i vetmuar ka zbuluar teksa lundron në ferrin urban dhe zbulon qytetin në natyrshmërinë dhe origjinalitetin e tij.



