E shkruara, mes kujtimeve të së shkuarës dhe të ardhmes (VIDEO)

E shkruara, mes kujtimeve të së shkuarës dhe të ardhmes (VIDEO)

Një prej autorëve shqiptarë në diasporë, veprat e të cilit janë të vlerësuara gjerësisht, Ardian Kyçyku vjen për lexuesit me disa vepra të tij.

“Mortët”, “An-on-ima”, “Pragu ose Vdekja shkruan me dy duar” dhe “Homo ex Machina” janë katër romane të autorit të botuar në harkun e dy vjetëve, tre prej të cilëve në formatin on-line, ndërkohë që njëri prej tyre, “Mortët” vjen edhe në formatin “hard-copy”, i botuar nga shtëpia botuese “Naimi”.

Romani i shkruar fillimisht në vitin 1988, i botuar dhe më parë vjen megjithatë me disa ndryshime, pavarësisht se 80 përqind e strukturës së tij ka mbetur siç ka qenë. Romani sjell historinë e një familjeje të pasur shqiptare të viteve ’20-30, që pa dhënë shpjegime mbyllet në shtëpi. Ai është mbështetur mbi ato që njihen si  “legjenda urbane” dhe një nga problemet që trajtohet në këtë vepër është lindja e borgjezisë, e Mortët përfaqësojnë një nga këto familje.  Në këtë libër autori shkruan se “ka kujtime të së shkuarës dhe të së ardhmes; ka kujtime të asaj të ardhmeje që s’vjen kurrë, dhe kjo është e shkuara më e mbrapshtë e njeriut”.

“Kujtesa mund të jetë edhe një kalvar. Përshkruaj në njëfarë mënyre hapat që përshkruan njeriu nga lindja deri në vdekje, vetëm se në këtë roman, megjithëse njerëzit janë të të njëjtit gjaku dhe të njëjtës mendësie fillon e zhduket dashuria. Ky është një roman pa dashurinë njerëzore dhe që mbështetet vetëm mbi marrrëdhënie”.

I vendosur në Rumani prej vitesh, Kyçyku shkruan edhe në shqip, edhe në rumanisht. Ai filloi të shkruajë edhe në rumanisht në vitin 1996, fillimisht, pa idenë për të botuar, ndërsa tashmë shkruan dhe boton në të dy gjuhët.

“Kam thënë që çdo libër zgjedh gjuhën në të cilën do që të shkruhet”.

Për Kyçykun, çështja e marrëdhënieve të autori që jeton jashtë me njerëzit që jetojnë në atdheun e tij përmban një dramë për të cilën është shkruar pak.

“Kur ikëm ne, të gjithë njerëzit e atjeshëm ngrinë në kujtesën tonë. Ata mbetën siç ishin kur i njohëm ne”.

Përsa i përket çështjes së komunikimit me lexuesin dhe problemin e mosleximit, të vënë në pah disa herë, Kyçyku vëren se sipas tij nuk është dhe aq tragjike sa dëgjohet shpesh në tryezat e shkrimtarëve, por sipas tij për këtë arsye, ndershmëria dhe përgjegjësia e shkrimtarit është e jashtëzakonshme.

“Letërsia nuk është shaka. Ose mund të jetë një shaka, por që del shumë e hidhur në fund. Unë vetë di që kam një grup të vogël lexuesish, pork am lexuesit që do t’I kisha ëndërruar. Mendoj se autori nuk duhet të prishë gjakun për numrin e lexuesve, por për cilësinë e tyre”.

Ardian KYÇYKU (pseudonime letrare: Ardian-Christian Kyçyku / Kuciuk), lindur në Pogradec më 23 gusht 1969, autor i mbi 50 librave origjinalë shkruar në gjuhët shqip e rumanisht. Kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi. Doktor i shkencave filologjike, doktorand në teologji, profesor universiteti dhe rektor. Bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Haemus. Çmimi Kombëtar i Letërsisë "Penda e Argjendtë" për tregim (2012); Qytetar Nderi i Pogradecit (2014); Akademia Kult - Çmimi "Libri artistik i vitit / Shkrimtari i vitit" (2015); Çmimi II "Katarina Josip" për Dramë Origjinale Shqipe (2016); Çmimi I Madh - Festivali Ndërkombëtar i Filmit Très court (2017); Akademia Kult - Çmimi "Libri artistik i vitit / Shkrimtari i vitit" (2018); Ambasador i Kombit, Tiranë 2019.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy