
Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan një verifikim në terren në fshatin Rreja e Velës, pas një njoftimi për gjetje rastësore nga një banor i zonës.
Vendgjetja ndodhet në Kodra e Qytezës, rreth 10 km larg Rubikut, në një lartësi prej 475 metrash.
Në majën e kodrës u identifikuan rrënojat e një fortifikimi, me pllaja të vogla të rrethuara nga shpate të thikta në lindje, jug dhe veri, ndërsa ana perëndimore ka një terren më të butë. Në veriperëndim ndodhen rrënojat e një kulle rrethore, ndërsa në jugperëndim është vërejtur një linjë muri i rrënuar.
Ky fortifikim mendohet të ketë pasur funksion mbrojtës ose ka shërbyer si pikë vëzhgimi për kontrollin e territorit.
IKTK do të vijojë me dokumentimin, studimin dhe konservimin e këtij fortifikimi në fazat e ardhshme.
Po ashtu, do të realizohet një vëzhgim sipërfaqësor arkeologjik për të kuptuar lidhjet e fortifikimit me territorin përreth.






