
Kryevepra e humbur e piktorit fiorentin të shekullit XIII, Cimabue, u gjet në kuzhinën e një gruaje franceze afër Parisit.
"Krishti i përqeshur” (Christ Mocked) pritet të arrijë vlerë deri në 6 milionë euro në ankand muajin tjetër, sipas Jerome Montcouquil një ndër specialistët e artit të “Cabinet Turquin”, i cili kreu testet mbi pikturën pas zbulimit të saj në fillim të kësaj vere.
Një grua e moshuar franceze nga qyteti i Compiegne e kishte mbajtur veprën e rrallë të artit - për të cilën ajo mendonte se ishte një ikonë fetare greke – të varur në kuzhinën e saj, tha Montcouquil. Pronarja nuk e dinte se nga erdhi piktura 25.8 x 20.3 centimetër.
"Nuk u desh shumë kohë për të parë se ishte një vepër arti nga piktori italian Cimabue. Ai është një baba i pikturës, kështu që ne e njohim punën e tij shumë mirë", tha Montcouquil.
Cimabue është pseudonimi i artistit Cenni di Pepo, i lindur në Firence rreth vitit 1240. Ai dihet se ka qenë zbuluesi dhe mjeshtri i Giotto, i konsideruar gjerësisht si një nga artistët më të mëdhenj të epokës së para-Rilindjes.
"Ka vetëm njëmbëdhjetë piktura të tij në botë - ato janë të rralla".
Montcouquil tha se puna është pjesë e një triptiku të bërë më 1280 kur artisti pikturoi tetë skena me temë kryesore pasionin dhe kryqëzimin e Krishtit.
Stili i pikturës, sfondi i artë dhe gjurmët e kornizës së vjetër ndihmuan ekspertët që të identifikojnë pikturën si pjesë të triptikut, sipas një njoftimi për shtyp nga ankandi Acteon.
Shtresa piktoreske mbetet në "gjendje të shkëlqyer" pavarësisht pluhurit që ka grumbulluar.

Galeria Kombëtare në Londër është shtëpia e një skene tjetër nga punimi, "Virgjëresha dhe Fëmija me dy engjëj", të cilën galeria e fitoi në vitin 2000. Ajo kishte humbur për shekuj para se një aristokrat britanik ta gjente atë në vendin e tij, në Suffolk.
"Përdorëm dritën infra të kuqe për t'u siguruar që piktura ishte bërë nga e njëjta dorë. Ju madje mund të shihni korrigjimet që ai ka bërë."
Piktura ishte varur sipër një sobe për gatimin e ushqimit, por më 27 tetor do të jetë në shtëpinë e ankandeve Acteon në Senlis, në veri të Parisit.
Kjo është piktura e parë e Cimabue që del në ankand, sipas Montcouquil. /CNN, përgatiti Erina Çoku/



