
80 vitet e jetës të shkrimtarit të madh, Fatos Kongoli, duhet të ishin një festë e madhe për lexuesit e veprës së tij, por ditëlindja e tij u kujtua në një ceremoni në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë z. Skënder Gjinushi i rezervoi një pritje të veçantë, në prani të akademikëve Vasil Tole, Neritan Ceka, Shaban Sinani, Floresha Dado, Mimoza Hafizi, Dhimitër Haxhimihali, Gëzim Hoxha, botuesve të Toena-s Irena dhe Fatmir Toçi.
Gjatë këtij aktiviteti përshëndetën prof. Shaban Sinani, botuesja Irena Toçi dhe drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli.
Urime të ngrohta mori Fatos Kongoli edhe nga kolegët e tij të nderuar, Namik Dokle, Xhevahir Spahiu,
Të pranishëm me komentet, falënderimet dhe dhuratat e tyre nxënës të gjimnazeve "Qemal Stafa", "Arben Broci", "Myslym Keta", “Ibrahim Rugova” Kamëz dhe Shkolla teknike ekonomike, Tiranë.
Fatos Kongoli u lind në Elbasan në 12 janar 1944, dhe studimet e para i pati për matematikë. Vitet i zbuluan pasionin për gazetarinë dhe kështu u formësua me një makinë shkrimi duke hedhur reportazhet e para. Derisa të vinte tek veprat e tij të njohura si “Karuseli”, “I humburi”, “Bolero në vilën e pleqve”, “Iluzione në Sirtar” e mbi 35 veprave të tjera të botuara.
Veprat e tij janë përkthyer në 11 gjuhë të huaja.
Fatos Kongoli ka fituar tri herë çmimin “Pena e argjendtë” për librin më të mirë në prozë (1995, 2000, 2002), si dhe çmime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Kalorës i Legjonit të Nderit” (2010) nga Presidenti i Francës, dhe “Mjeshtër i madh” (2012) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.



