
Komediania e mirënjohur Ellen DeGeneres do të marrë një çmimin “Golden Globes” për arritjet në karrierën e saj 25-vjeçare në televizionin amerikan, njoftuan organizatorët këtë të hënë.
DeGeneres, 61 vjeç, do të jetë marrësja e dytë e çmimit “Carol Burnett”, i cili iu paraqit për herë të parë vetë Burnett në ceremoninë e çmimeve “Golden Globes” në janar.
DeGeneres, një nga personazhet e famshme më të shquara femra gei, e filloi karrierën e saj në komedi stand-up para se të transferohej në televizion. Aktualisht ajo është prezantuese e emisionit të përditshëm "The Ellen DeGeneres Show".
"Përveç suksesit të saj në televizion, ajo është një avokate edhe filantrope, duke u dhënë zë atyre që nuk kanë një të tillë, dhe duke përhapur mirësi dhe gëzim përmes fuqisë së platformës së saj", tha Lorenzo Soria, president i “Hollywood Foreign Press Association” që dhuron “Golden Globes”.
DeGeneres tashmë është nderuar me dy prej medaljeve më të larta në Shtetet e Bashkuara: Medaljen Presidenciale të Lirisë dhe çmimin “Mark Twain” për Humorin Amerikan.
Përveç punës së saj në televizion, DeGeneres i huazoi zërin e saj peshkut të famshëm blu e neurotik të quajtur Dori në filmat e animuar "Finding Nemo" dhe "Finding Dory".
Çmimi “Carol Burnett” u vendos për të njohur epokën e re të artë të televizionit në Shtetet e Bashkuara, ku më shumë se 500 shfaqje të shkruara në vit transmetohen në platforma tradicionale dhe streaming.
Ceremonia e çmimeve “Golden Globes” për filmin dhe televizionin do të zhvillohet në Beverly Hills në 5 janar të vitit 2020. /Reuters, përgatiti Erina Çoku/



