
“Trio Folk Albania” është një formacion i ri në skenën e muzikës popullore shqiptare, i përbërë nga tre muzikantë të rinj, të cilët kanë një mision të qartë: të rikthejnë muzikën folklorike në vëmendje, por në një format më modern dhe të dëgjuar, pa i humbur identitetin.
Të ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, Indrit Cakaj (fizarmonikë), Eraldo Feto (violinë) dhe Andi Ponaçi (kitarë dhe lahutë) treguan për rrugëtimin e tyre dhe idenë pas krijimit të grupit.
Indrit Cakaj:
E kemi menduar këtë grup me dëshirën për të sjellë folkun tonë në një format të ri, pa e deformuar.Nuk kemi ndërmend të largojmë thelbin apo autenticitetin, përkundrazi, duam ta ruajmë dhe ta përcjellim me dinjitet.
Nëse më krahasojnë me mjeshtrin Agim Krajka, për mua është një nder i madh.
Ai ka qenë idhulli dhe frymëzimi im në rrugëtimin muzikor. Kam nisur të luaj fizarmonikë që në moshën 5-vjeçare, dhe vij nga një familje ku muzika ka qenë pjesë e jetës së përditshme.
Eraldo Feto:
Ky kombinim i instrumenteve- fizarmonikë, violinë dhe kitarë, është relativisht i ri për muzikën popullore shqiptare. Është një risi që na dallon.Kam qenë pjesë e Ansamblit të Korçës që fëmijë dhe e kam pasur gjithmonë pasion muzikën tradicionale. Violina është instrumenti im kryesor, por kam njohuri edhe për instrumente të tjera, që më ndihmojnë të kontribuoj më shumë në grup.
Andi Ponaçi:
E kam pasion muzikën tradicionale dhe dëshira jonë është që kjo muzikë të promovohet më shumë dhe të kalojë kufijtë tanë.Lahutën e kam shumë për zemër dhe është një nga instrumentet që më lidh më fort me rrënjët tona. Kohët e fundit kam punuar shumë me këngët e vjetra dhe publiku i ka pritur me dashuri.
Po planifikojmë edhe një recital si trio, për të sjellë një përvojë të plotë për publikun.



