Mozaiku i Tiranës tashmë është transformuar tërësisht.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ka njoftuar edhe përfundimin e punimeve në qendrën e re të Mozaikut të Tiranës, i cili tashmë është gati të hapë dyert për publikun.
Ky projekt unik do të sjellë më pranë qytetarëve dhe turistëve mozaikët e mbyllur të periudhës së antikitetit dhe antikitetit të vonë, të ruajtur në sitet tona më të rëndësishme si Apollonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani, dhe shumë të tjera.
Duke pasur parasysh se mozaikët origjinalë janë të ekspozuar ndaj rreziqeve atmosferike, Mozaiku i Tiranës do të ofrojë një platformë që do të mundësojë ekspozimin e tyre në kushte optimale, me një grafik të mirëpërcaktuar vjetor.
Ky projekt është konceptuar si një qendër edukimi e inovacioni për fëmijët. Arkeologët thonë se këtu u ngrit një vilë romake që në shekullin III pas Krishtit.
Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës.
Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik.



