Në një stil ndryshe, ku prezanton veshjet tradicionale, Rita Ora bashkë me tre artistë të tjerë, mes tyre DJ-i David Guetta do publikojë projektin e saj të ri, në kohë para Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Fillimisht këngëtarja me origjinë shqiptare kishte publikuar vetëm një poster ku shfaqej sensuale me një veshje të zezë. Por dje publikoi për herë të parë një pjesë nga klipi i këngës ‘Bang’, ku bashkë me kërcimtarët shfaqej me veshjet tradicionale.
Realizimi i tyre është bërë nga dizajnuesi Valdrin Sahiti, i cili tregoi edhe bisedën me këngëtaren.
“Rita Ora - krenaria dhe gëzimi i popullit shqiptar - së pari hapi dyert tona për botën dhe vendosi Kosovën në hartë. Edhe këtë herë, ajo vazhdon të shkëlqejë dritën e saj dhe të na bëjë krenarë. Për këtë projekt, ajo më tha se donte t'i "tregonte të gjithëve stilin tonë tradicional dhe etnografik", kështu që unë krijova këtë kryevepër për t'iu përshtatur gravitetit të asaj që ajo ka bërë për vendin tonë”, shkruan dizajnuesi nga Kosova në një postim në Instagram.
Ndërsa motra e këngëtares së njohur, Elena Ora, tregon se edhe ajo ka qenë pjesë e këtij projekti, ndoshta si figurantë apo e ka ndjekur nga pas kamerës.
“Kjo ishte shumë argëtuese! Faleminderit të gjithëve për këtë! Sidomos gjeniu Valdrin Sahiti për këtë dizajn me porosi në festimin e Ditës së Pavarësisë për Kosovën ... Kurrë nuk do ta harroj këtë moment”, shkruan ajo.
Kënga do të publikohet më 12 shkurt.



