
Sezoni veror ka rikthyer shfaqjet në Amfiteatrin e Durrësit.

Ka qenë aktori Gent Hazizi që ka hapur kalendarin e aktiviteteve me stand up komedinë "Krejzi Bradhër".
'Kjo është hera e parë që interpretoj në Amfiteatër', thotë aktori duke shtuar se është një tjetër emocion, një shfaqje, ku spektatori zbulon veten dhe ku përcillen mesazhe nëpërmjet humorit.
‘Do të jetë një kalendar i ngjeshur me aktivitete kulturore’, bën të ditur Alban Ramohitaj, drejtor i Qendrës Muzeore Durrës, të cilat do të zhvillohen edhe në monumente të tjera të trashëgimisë kulturore të qytetit, përfshirë dhe Amfiteatrin.
Kjo është një mundësi për turistët dhe më gjerë për të njohur historinë, por edhe për të ndjekur shfaqjet e shumta që do të ngjiten në këtë skenë sa të veçantë, aq dhe magjike.
Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
Referuar statistikave nga janari deri në majin e këtij viti është vizituar nga 8 mijë persona ose 49% më shumë se gjatë të njëjtit 5-mujor të një viti më parë.



