
Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Organizatën Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe dëshmorët e tjerë të atdheut në 80-vjetorin e rënies së Qemal Stafës ka mbajtur sot konferencën përkujtimore “Antifashizmi, një vlerë e shtuar e popullit shqiptar”.
Poashtu u promovuan botimet e ASH; “Qemal Stafa Hero i Popullit(1920-1942)” dhe “Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore”-
Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi tha se Antifashizmi shqiptar gjatë LIIB është i lidhur pazgjishmërisht me emrin e Heroit të Popullit, Qemal Stafa. Pas vrasjes së tij më 5 maj 1942 nga milicia fashiste ai u shndërrua në një simbol me përmasa historike të qëndresës dhe luftës kundër pushtuesve fashistë.
“Jeta dhe veprimtaria e Qemal Stafës zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Qemali është një figurë e fuqishme, e qartë, imponuese dhe me një personalitet të gjithanshëm. Qemali pati një jetë shumë të shkurtër. Ai u vra sapo kish mbushur 22 vjeç.
Pra, një jetë shumë e shkurtër, por me një kontribut shumë të madh. Mesa duket, personalitetet të këtyre përmasave janë të parashikuar të jetojnë shkurt, vrullshëm dhe të lenë gjurmët e tyre në histori.
Na takon ne të kujdesemi, që kontributi i tij, por edhe shumë heronjve të tjerë antifashistë shqiptarë të mos harrohet.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi tha se, Qemal Stafa ishte një prej figurave më të rëndësishme të mendimit dhe veprimit përparimtar shqiptar në prag dhe gjatë luftës antifashiste për çlirimin e vendit.
Gjinushi tha se “Akademia e Shkencave ka përgatitur një botim të veçantë për jetën e tij heroike, ku janë përfshirë edhe krijimtaria e tij letrare e artistike, dokumente autentike që kanë lidhje me veprimtarinë e tij dhe disa prej shkrimeve më cilësorë, që i janë kushtuar që nga gushti i vitit 1942 deri më sot”.
Këto botime promovuese kanë një vlerë të veçantë për të pasqyruar me vërtetësi këtë periudhë, periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Epokat e rëndësishme historike duhet të paraqiten me sa më shumë realizëm, pasi gjatë tyre shpalosen dhe vlerat e vërteta të një populli”.
Në këtë jubile me rastin e 80-vjetorit të rënies së heroit, Akademia e Shkencave ka botuar veprën “Qemal Stafa Hero i Popullit(1920-1942)” përgatitur për botim dhe redaktimi shkencore nga prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi.
Vepra u paraqit nga prof. dr. Hamit Kaba dhe prof. asoc. dr. Bernard Zotaj.
U paraqit edhe botimi me kumtesat e mbajtura nga studiuesit e huaj në konferencën shkencore ndërkombëtare “Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore” me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga prof. dr. Irakli Koçollari
Në fund u mbajtën dy kumtesa me temën antifashizmi një vlerë e shtuar e popullit shqiptar nga prof. dr. Pëllumb Xhufi dhe prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi.



