Grupi gjerman i rrokut Rammstein u gjetën nën një “shi” kritikash pas lançimit të video-trajlerit më të fundit. Në këtë të fundit, pjesëtarët e grupit shfaqen të veshur si të burgosur të kampeve të përqendrimit, me litar rreth qafës.
Charlotte Knobloch, një e mbijetuar e Holokaustit dhe ish-presidente e Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani, i ka thënë gazetës gjermane “Bild” se grupi e ka tepruar me videon e re.
"Instrumentalizimi dhe minimizimi që i bëhet holokaustit, siç tregojnë pamjet, është i papërgjegjshëm", është shprehur ajo.
Komisioneri i qeverisë gjermane për antisemitizmin, i emëruar për herë të parë vitin e kaluar, Felix Klein, e quajti videon "një shfrytëzim pa shije të lirisë artistike".
Ndërsa vetë Rammstein ende nuk u janë përgjigjur kritikave.
Nuk është hera e parë që grupi rock me bazë në Berlin, i udhëhequr nga këngëtari Till Lindemann, shkakton polemika. Në vitin 2009, qeveria gjermane ndaloi shfaqjen publike të albumit të tyre, “Liebe ist Fuer Alle Da” (Dashuria është për të gjithë) për shkak të notave të forta sadomazokiste.



