Ura e Zogut mbi Lumin Mat, monument kulture i kategorisë I, po degradon dita-ditës.
Aktivistë dhe të rinj nga qyteti i Lezhës, Kurbini dhe Laçi dje kanë zhvilluar një protestë mbi këtë Urë, ndërsa kërkojnë vëmendje nga Ministria e Kulturës Përmes një komunikimi me skype, Elsa Sulën, aktiviste, thotë për edicionin e lajmeve në MCN TV, se është organizuar një peticion me tre mijë firma, në mbrojte të Urës së Zogut.
“Është nënshkruar peticioni online me rreth 3 mije firma dhe të gjitha firmat e marra, atë peticion e kemi përcjell te Ministria e Kulturës, pastaj te Insituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, për të cilën kemi marrë vetëm një përgjigje se do të ngritën grupe pune, porse deri tani nuk kemi parë asgjë, dhes e Ura e Zogut është ende në mëshirë të fatit.
Ura e Zogut është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë. Aktivistja Sula, vlerëson më tej se degradimi i këtij monumenti të kulturës, po bëhet nga vet dora e njeriut dhe neglizhenca e institucioneve përkatëse.
“Nëse do ta ndanim se a është më shumë shkatërrim natyror ose nga dora e njeriut, më shumë është nga dora e njeriut, inertet që nxirren përditë aty dhe vazhdojnë të nxirren aty, edhe pse ne kemi kërkuar edhe përmes protestave te mëparshme që të ndalohet marrja e inerteve aty, sepse duke qenë se po gërryhet shtrati i lumit Mat, ka bërë që këmbët e urës të jenë më të ekspozuara ndaj rrymës që vjen nga lumi Mat dhe kjo e ka shkatërruar, pra është dora e njeriut ajo që e shkatërron këtë monument kulture, dhe heshtja e institucioneve përgjegjëse është e dyta që degradon ditë për ditë, kolonat e kësaj ure, njëra nga kolonat është zhytur në ujë, në 1,5 metra”.
Aktivistja Sula, thotë se aktiviteti i radhës nga ana e aktivistëve do të jenë protestat e organizuara para institucioneve përkatëse, të cilat e kanë për detyrë mbrojtjen e Urës së Zogut, si një monument kulture, ndër më të veçanta në Ballkan.
“Kemi marrë kërkesa të njëpasnjëshme, nënshkrimi i peticionit dërguar Ministrisë së Kulturës, bashkisë Kurbin, Lezhë, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, hapi tjetër do te jetë një protestë para këtyre institucioneve për ti bërë që të zgjohen nga gjumi dhe të marrin masa se si një momunent kulture me një histori kaq të veçantë, ndër më të veçantit në Ballkan, për kohën që është ndërtuar të lihet në mëshirë të fatit dhe të mos merret asnjëlloj mase”.



