
Ashtu si çdo vit, edhe në këtë nëntor Panairi i Librit mblodhi përgjatë pesë ditëve të tij me mijëra lexues. Njerëz të të gjitha moshave që e duan librin nxituan nëpër stenda duke kërkuar autorët apo titujt e preferuar. Një event që mbahet gjithmonë në të njëjtën periudhë të vitit, Panairi i Librit ka frekuentuesit e vet besnikë, por edhe vizitorë rastësorë apo edhe nga ata që nxiten në forma të tjera. Vitet e fundit, rrjetet sociale janë kthyer në një mjet të fuqishëm edhe për marketingun e librit. Lexuesi, sidomos ai i moshës së re, është ai që ndikohet drejtpërdrejt nga sugjerimet për tituj librash që bëhen në rrjetet sociale. Dhjetë ditët që i paraprinë panairit u karakterizuan nga një “bombardim” me rekomandime të tilla në Facebook dhe Instagram. Si dy prej rrjeteve sociale më të përdorura në Shqipëri, impakti te lexuesi domosdoshmërisht është të paktën i konsiderueshëm.
A është gjithmonë më e mira ajo që promovojnë rrjetet sociale dhe sidomos figurat që kanë shumë ndjekës në to. Shitjet në panair flasin për një impakt të madh të reklamës falas që të ofrojnë Facebooku dhe Instagrami.
Ata që e njohin mirë letërsinë, nuk mund të rrinë pa kaluar në stendat e nobelistëve.
Shumë autorë kanë lexuesin e vet besnik, të fituar në vite. Por për autorët e rinj,të çash në këtë treg është e vështirë.
Sigurisht, të gjithë kanë të drejtë të shkruajnë e të botojnë dhe në shumë raste libri më i shitur nuk është më i miri, një fenomen ky që ndodh në shumë vende të botës. Kush duhet ta orientojë lexuesin?
Në mungesë të një kritike të mirëfilltë letrare dhe në kushtet e impaktit që kanë rrjetet sociale, lexuesi, sidomos ai i ri, lëviz në një mjedis paksa të mjegullt. Ditët e vrullshme të panairit e trazojnë këtë paqartësi, duke e cuar lexuesin e paorientuar drejt asaj që reklamohet më zhurmshëm. Dhe ajo për të cilën duhet të reflektojmë në ditën e fundit të panairit është: A fituam më shumë blerës apo lexues?



