Adhuruesit e Markezit kanë parë më së fundi realizimin e një dëshire. Me të njëjtën dëshirë dhe durim që Florentino Ariza (personazhi kryesor në “Dashuria në kohërat e kolerës”) priti për vite të tëra të dashurën Fermina, edhe lexuesit e pasionuar pas Markezit kanë pritur hapjen e arkivit të tij.
Tashmë, arkivi është dixhitalizuar dhe është i tëri online, në dispozicion të lexuesve, falas.
Kështu të gjithë do të kenë mundësi të njohin më shumë një prej romancierëve më të mëdhenj të Amerikës Latine dhe kritik i ashpër i “imperializimit amerikan”.
Kjo falë familjes së shkrimtarit, e cila ka hequr dorë nga e drejta e pronësisë intelektuale, duke a ofruar falas pjesëza të jetës së tij adhuruesve në mbarë globin.
Janë rreth 27 mijë dokumente që i përkasin një harku kohor prej 50 vitesh. Dokumentet janë kryesisht në spanjisht, por ka edhe në italisht, anglisht dhe frëngjisht.
Dokumentet përmbajnë foto, letra, shënime, albume dhe thënie. Mes tyre është edhe fjalimi që Markezi mbajti kur mori Nobelin e Letërsisë, në vitin 1982.
Materialet e pabotuara më parë flasin për miqësinë e tij me Fidel Kastron, por edhe pasionet dhe obsesionet që e bënë një prej shkrimtarëve më të dashur të shekullit XX.



