Me nisjen e sezonit turistik veror, hapet zyrtarisht edhe sezoni i vizitave në muzetë, parqet arkeologjike dhe kalatë në mbarë vendin.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi se nga data 5 maj deri më 31 tetor 2025, të gjitha institucionet e trashëgimisë kulturore do të jenë të hapura çdo ditë të javës, nga ora 09:00 deri në 19:00.
“Synimi ynë është të ofrojmë një përvojë sa më të pasur kulturore për vizitorët vendas dhe të huaj, duke i bërë asetet tona kulturore më të aksesueshme gjatë sezonit turistik,” deklaroi ministri Gonxhja.
Për disa site me karakteristika të veçanta janë përcaktuar orare të diferencuara:
Në Durrës, Kulla Veneciane, Amfiteatri dhe Hamami Mesjetar do të jenë të hapura nga ora 09:00 – 14:00 dhe sërish nga 17:00 – 21:00.
Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, Vlorë:
Nga 5 maj – 30 qershor dhe 11 shtator – 31 tetor, orari do të jetë 09:00 – 19:00.
Nga 1 korrik – 10 shtator, do të jetë i hapur nga 09:00 – 12:00 dhe 17:00 – 22:00.
Parku Kombëtar i Butrintit do të qëndrojë i hapur çdo ditë nga ora 08:30 – 20:00.
Ministri Gonxhja u bëri thirrje të gjithë vizitorëve, vendas dhe të huaj, që këtë sezon të përjetojnë nga afër kulturën dhe historinë shqiptare në një atmosferë plot gjallëri dhe aktivitete.



