
Në kuadër të 29 shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Muzeu Historik Kombëtar organizoi tryezën e rrumbullakët me temë: “Theofan Popa. Një jetë kushtuar trashëgimisë kulturore”.
Tryeza iu kushtua Theofan Popës dhe kontributit që ka dhënë ai për trashëgiminë kulturore.
Znj. Entela Çipa, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar në fjalën e saj ndër të tjera tha: “29 shtatori, ‘Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore’ përkon me ‘Ditët Europiane të Trashëgimisë’ që celebrohet në rreth 50 vende të Europës si një iniciativë kulturore e Këshillit të Europës.
‘Ditët Europiane të Trashëgimisë’ është një nismë e hershme e vitit 1985 e Këshillit të Europës e shndërruar në një aksion të përbashkët të gjithë aktorëve të trashëgimisë kulturore në vitin 1999. Shqipëria është një nga vendet europiane, e cila përmes Ministrisë së Kulturës si koordinatore e ‘Ditëve Europiane të Trashëgimisë’ organizon aktivitete në monumente, parqe arkeologjike, muze e galeri në të gjithë vendin”.
Në vijim folën Andrea Llukani, i cili trajtoi kumtesën: “Ndihmesa e Theofan Popës në mbledhjen e ikonave, mbishkrimeve dhe objekteve liturgjike kishtare”; ndërsa Spiro Nika mbajti kumtesën: “Theofan Popa për muzeologjinë shqiptare”. Znj. Ana Popa, e bija e Theofan Popës, solli mbresa dhe kujtime nga jeta e Theofanit. Gjithashtu, Prof. Ass. Dr. Frederik Stamatit, foli për mbresat që ka ka pasur nga miqësia me Theofan Popën.




