
Aktori George Clooney thuhet se është shtruar në spital, pasi ishte përfshirë në një aksident në Sardenjë të Italisë.
Clooney ishte duke udhëtuar me motoçikletën e tij në xhirimet e një filmi, kur u përplas nga një makinë.
E përditshmja lokale La Nuova Sardegna raporton se plagët e Clooney nuk janë serioze, por ai është dërguar në dhomën e emergjencës në spitalin Gjon Pali II.
Policia tha se nuk kanë informacion në lidhje me aksidentin, por spitali i kontaktuar nga NBC News deklaroi se Clooney tashmë është larguar dhe nuk dodhej aty.
Gjithashtu thuhet se 57-vjeçari ishte duke shkuar për të xhiruar një film, xhirimet e së cilit ishin vendosur të mbahen të martën, kur motoçikleta e tij u godit nga një makinë, shkruan "The Guardian".
Por Mediaset, duke cituar revistën e thashethemeve "Chi", tha se aksidenti ndodhi pranë Kosta Corallinës, në krahinën e Olbia.
Gazeta publikoi një fotografi nga vendi i ngjarjes, duke treguar një motoçikletë dhe makinë, ku thoshte se pasi makina kishte goditur motorin e Clooney aktori më pas ishte përplasur në xham.
Clooney ka një shtëpi në kontinentin italian, në Liqenin e Comos. Aktori hollivudian ndodhet në Sardenjë që nga mesi i majit, duke xhiruar serinë televizive Catch-22, regjisor i së cilës është vetë ai.



