Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes ekspozitës “In memoriam”, përkujton akademikun Dhimitër Shuteriqin, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta, duke sjellë në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të pasur si një studiues dhe historian të letërsisë, të traditave të hershme të shkrimit të shqipes dhe të folklorit.
Kërkimet e tij në këto fusha janë kurorëzuar me botimin e një korpusi veprash e studimesh, që hedhin dritë jo vetëm në fillimet e shkrimit shqip, por edhe në rrënjët e traditave letrare-kulturore, në procese e figura të shquara të letërsisë së humanizmit, të Mesjetës dhe të Rilindjes Shqiptare, duke vënë në qarkullim tekste të panjohura dhe ide të reja shkencore.
Për një periudhë gati 60-vjeçare, e cila shtrihet deri në ditët e fundit të jetës, Shuteriqi, iu kushtua intensivisht letërsisë dhe veprimtarisë studimore letrare, albanologjike, historike dhe folklorike
Dhimitër Shuteriqi është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”; ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë.
Ekspozita “In memoriam” kushtuar Dhimitër Shuteriqit, do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të Bibliotekës Kombëtare.



