
Aktorja Glenn Close mori të dielën çmimin “Aktorja më e mirë”, në ceremoninë Golden Globe. Ajo u vlerësua për interpretimin në rolin e Joan Castleman në filmin "The Wife". Lady Gaga ishte një nga pretendentet më të forta për këtë çmim, për rolin e saj në filmin "A Star is born".
Close u kap e papërgatitur për këtë çmim, pasi kamerat e fokusuan të habitur kur u shpall fituese. Në një fjalim me lot në sy që bëri të pranishmit të ngriheshin në këmbë, ajo u bëri thirrje femrave të përmbushin vetveten.
Close falënderoi Meg Wolitzer për romanin nga është marrë subjekti i filmit dhe Jane Anderson për përshtatjen e tij.
“U deshën 14 vjet për ta bërë këtë film. Epo ju e kuptoni, kjo sepse quhet “Gruaja”, tha ajo me shaka.
“Ky rol ishte shumë i lidhur me jetën time personale. Kam menduar për nënën time, që vendosi të sakrifikohej për tim atë gjithë jetën dhe kur ishte 80 vjeçe më tha: Nuk arrita asgjë në jetë. Kjo ishte kaq e padrejtë. Ajo që unë kam mësuar gjatë gjithë kësaj përvoje, është se ne gratë jemi edukatore, kjo është ajo që pritet prej nesh. Kemi fëmijët tanë. Ne kemi burrat tanë nëse jemi me fat, apo partnerët. Por ne duhet të gjejmë përmbushjen personale. Ne duhet të ndjekim ëndrrat tona. Ne duhet të themi: Unë mund ta bëj këtë dhe duhet të mos më pengojë askush.
Kur isha e vogël, ndihesha si Muhammed Ali, i cili ishte i destinuar të ishte një boksier. Ndieja se isha e destinuar të bëhesha aktore. Thashë se unë mund ta bëj këtë. Dhe ja ku jam sot, bëhen 45 vjet në shtator që jam aktore aktive. Dhe nuk mund ta imagjinoj një jetë më të mrekullueshme se kaq”, tha ajo.



