
Një nga hapësirat e Parkut të Liqenit, e njohur si “Bisedkat e vjetra” të arkitektit Maks Velo, është transformuar në një teatër të hapur në natyrë për fëmijët.
Teatri veror do të mbajë emrin “Pinoku” dhe është një dhuratë nga Bashkia e Parmës dhe Fondacioni “Collodi”, për nder të shkrimtarit të madh Italian, që krijoi personazhin e famshëm dhe të dashur për fëmijët, Pinoku.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe homologu i tij nga Parma, Federico Pizzarotti, së bashku me një grup fëmijësh, përuruan sot Teatrin më të ri në qytet, ku është vendosur edhe instalacioni i “Pinokut”, vepër e artistit të njohur shqiptar, Klement Zoraqi.
Kryetari i Bashkisë së Parmës, Federico Pizzarotti, nënvizoi se përurimi i Teatrit Collodi (Pinoku) do të jetë një nga vendet e binjakëzimeve mes dy qyteteve.



