Historiani Pëllumb Xhufi ndan mendimin se të rinjtë duhen dhe në politikë dhe kudo, por se duhet të mësojnë nga të vjetrit.
Duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike, ai tha se i ka përkrahur të rinjtë, por se është mirë që të mësojnë nga më të vjetrit dhe më pas të analizojnë.
Është e çuditshme, një personazh që ka qenë shumë aktiv dhe jeton kryesisht në Itali dhe ka mbushur rrjetin, ky është një puç, unë do jap jetën për Akademinë e Studimeve Albanologjike... edhe t’i thuash ç’është ky pathos prej pionieri në moshën 50 vjeçare?
Dhe kalon nga pathosi i tij në fyerje vulgare, që nuk e nderojnë ndaj kryetarit të Akademisë së Shkencave. Këta janë që e mbrojnë albanologjinë?
Po të isha përballë do i thosha je 52 vjeç, merr rrogë në Institutin e Studimeve Albanologjike, punon jashtë, çfarë ke bërë për studimet albanologjike?
Ndërsa tjetri është thinjur njësoj si unë dhe s’ka mbrojtur doktoraturën akoma. Apo tjetri që ka punuar në institucione private me një rrogë të mirë.
Akademia e Studimeve Albanologjike nuk e luan dot rolin e sinkronizimit të studimit shkencor, se albanologjia është një shkencë multidisiplinore.
Ti nuk mund të bësh një studim të thelluar për një krahinë të Shqipërisë, pasi do studim historik, gjuhësor, të traditave, institucioneve të kësaj treve.
Për mua institutet e albanologjisë duhet të jenë në një vend, që të trajtohen të gjitha problemet. Edhe kjo Akademia pa u prishur në 2005, ka bërë një studim ndërdisiplinor për Himarën, shumë i mirë.
Këto gjëra duhet të bëjnë. Institutet e Akademisë së Studimeve Albanologjike, janë kthyer në parcela feudale, ku në krye është drejtori që s’ka të bëjë fare me albanologjinë dhe jep ca direktiva, mbi ato që ai di.
Nuk është kjo albanologjia.



