Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka çelur ekspozitën “Gjon Mili: Retrospektivë”, një nga ngjarjet më të rëndësishme fotografike të viteve të fundit, që sjell për herë të parë në Shqipëri një koleksion origjinal të veprave të mjeshtrit shqiptaro-amerikan të fotografisë, Gjon Mili.
E kuruar nga Howard Greenberg, ekspozita përmbledh një pjesë të trashëgimisë së jashtëzakonshme të Gjon Milit (1904–1984), artistit që revolucionarizoi fotografinë moderne duke e shndërruar atë nga një mjet dokumentimi në një hapësirë eksperimentimi me dritën, lëvizjen dhe kohën.
Përmes veprave të ekspozuara, vizitorët kanë mundësinë të njihen me teknikat novatore që e bënë Milin një nga emrat më të rëndësishëm të fotografisë së shekullit XX. Ekspozita përfshin gjithashtu një galeri portretesh të figurave të njohura të muzikës xhaz, kinemasë dhe jetës kulturore amerikane, të realizuara me mjeshtëri nga objektivi i tij.
“Gjon Mili: Retrospektivë” është rezultat i bashkëpunimit mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe “Howard Greenberg Gallery”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Ekspozita vjen si një homazh për një prej figurave më të shquara shqiptare në historinë e fotografisë botërore dhe si një mundësi e rrallë për publikun shqiptar për të parë nga afër veprat e tij origjinale.



