
Në minutat e emisionit “MCN Informacion” u fol për dy nga romanet më të reja të sjella nga botuesja Vasilika Tafa.
E ftuar në studio, ajo ndau me publikun dy histori mbresëlënëse, të cilat i sugjeron për lexuesit shqiptarë: romani “Zonjusha mbresëlënëse Kesidi” i autores Meihan Boey nga Singapori dhe romani më i ri “Shtëpia e atit tim” i shkrimtarit të njohur irlandez Joseph O’Connor.
Kemi sjellë dy romane të rinj që përcjellin histori mbresëlënëse për lexuesit.
Njëri vjen nga Azia, nga Singapori, dhe tjetri nga Irlanda. Është një përzgjedhje që synon t’i ofrojë lexuesit shqiptar kultura dhe realitete të ndryshme nga e jona.
Autorja Meihan Boey, e lindur në Singapor dhe fituese e çmimeve të rëndësishme letrare në vendin e saj, vjen me romanin “Zonjusha mbresëlënëse Kesidi”.
Mënyra se si shkruajnë autorët singaporianë është e veçantë, pasi ata ndërthurin dy botë: një botë me elementë përrallorë dhe një botë reale, duke krijuar një stil origjinal dhe tërheqës për lexuesin.
Ndërsa romani “Shtëpia e atit tim” i Joseph O’Connor është një vepër me sfond historik, ku memoria kolektive luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e narrativës.
O’Connor njihet si një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë irlandeze bashkëkohore, me një profil letrar të konsoliduar dhe me disa vepra të përkthyera në gjuhë të ndryshme.



