
Projekti kërkimor-shkencor "Apolonia e Ilirisë", i bashkëdrejtuar nga profesorët Belisa Muka dhe François Quantin, po vijon punën në sitin arkeologjik të Apolonisë dhe këtë vit është përqendruar në tri zona kryesore të tij.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se "në kuadër të projektit kërkimor-shkencor 'Apolonia e Ilirisë', i bashkëdrejtuar nga profesorët Belisa Muka dhe François Quantin, vijon me përkushtim bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Institutit të Arkeologjisë (Akademia e Shkencave të Shqipërisë), UMR 8546 – AOrOc Paris, Shkollës Franceze të Athinës (EfA), Shkollës Franceze të Romës (EfR), Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore (Universiteti i Tiranës), IKTK-së dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia (nën varësinë e MEKI-t)."
Sipas ministrit Gonxhja, programi i vitit 2025 është përqendruar në tri zona kryesore të sitit arkeologjik: Sektori i termave të periudhës romake, Porta verilindore dhe Linja e fortifikimit.
Ai nënvizoi gjithashtu se paralelisht me gërmimet, vijon puna e studimit të materialeve arkeologjike dhe formimi i studentëve shqiptarë dhe francezë, përmes trajnimeve mbi metodologjitë bashkëkohore të dokumentimit, si dhe analizës së teknikës, stilit dhe ikonografisë së skulpturave antike.
Ky vit shënon fazën e dytë të ateliesë mbi skulpturën antike, një hap i rëndësishëm në thellimin e njohurive dhe praktikave kërkimore mbi artin skulpturor të Apolonisë dhe trashëgimisë së saj unike.



