Teatri i Kukullave kremton 75-vjetorin e krijimit, një jubile që shënon historinë e një prej institucioneve më të dashura për breza të tërë fëmijësh.
Për nder të kësaj dite, në ambientet e teatrit u zhvillua edhe ceremonia e ndezjes së dritave të festave, një moment magjik i ndarë së bashku me vogëlushët e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se, “në 75-vjetorin e teatrit u hapën edhe hapësirat muzeale të trashëgimisë artistike, me personazhet më të dashura e më të njohura të skenës”.
I themeluar më 6 dhjetor 1950, në godinën e ndërtuar në vitin 1925, e cila dikur ka shërbyer si selia e parë e Parlamentit Shqiptar, Teatri i Kukullave vijon të mbetet shtëpia më e dashur e artit për të vegjlit.
Për të shënuar këtë përvjetor, institucioni ka përgatitur një program të gjerë festiv, ndezjen e pemës së fundvitit, si dhe hapjen e ambienteve të reja muzeale për fëmijë dhe të rritur.
Deri më 30 dhjetor, fëmijët do të kenë mundësinë të ndjekin shfaqje falas, ndërsa vizitorët do të përfitojnë guida muzeale pa pagesë.



