“No Time To Die”, filmi i radhës për aventurat e agjentit 007, do të jetë në kinematë e botës nga 2 prilli. Filmi do të ketë për herë të fundit Daniel Craig në rolin e agjentit 007.
Lajmi se Craig nuk do të luajë më rolin e agjentit sekret James Bond u hapi rrugën spekulimeve se ky rol mund t’i besohej një femre.
Por një agjente sekrete mesa duket nuk është ajo që kërkon producentja e serisë së famshme. Barbara Brokoli e hodhi poshtë këtë mundësi në një intervistë për “Variety”.
"Ai mund të jetë me çdo ngjyrë, por është mashkull. Unë besoj se duhet të krijojmë karaktere të reja për gra - karaktere të forta femër. Unë nuk jam e interesuar të marr një personazh mashkull dhe të vë një grua ta luajë atë. Unë mendoj se gratë janë shumë më interesante se kaq", është shprehur ajo.

Zërat për një agjente femër nisën kur u zbulua se aktorja Lashana Lynch luan rolin e një të tille në filmin e ri pas serisë së fundit të Daniel Craig.
Ky i fundit nuk u bind lehtë për të luajtur rolin e James Bond për herë të pestë. Ai është ankuar shpesh për sfidat fizike gjatë xhirimit të “Spectre”, seria e vitit 2015.



